“Diella”, protagoniste në Karnavalet e Vevçanit

Nga Artin Halili
14 Janar 2026, 09:37 | Aktualitet

“Diella”, protagoniste në Karnavalet e Vevçanit

Karnavalet tradicionale të Vevçanit në Maqedoninë e Veriut, të zhvilluara me rastin e Vitit të Ri 2026 sipas kalendarit julian, u shndërruan edhe këtë vit në një tribunë ironie politike, ku në qendër të vëmendjes ishte qeveria shqiptare edhe kryeministri Edi Rama.

Mes qindra personazheve të maskuar, spikatën figurat satirike që përfaqësonin Ramën, policinë dhe ministren e quajtur simbolikisht “Diella”, një element tipik i groteskut vevçanas, ku politika trajtohet përmes humorit të ashpër dhe mesazheve të drejtpërdrejta. Një nga momentet më të komentuara ishte deklarata e improvizuar gjatë parakalimit.

“Kjo është ministrja artificiale e Shqipërisë, kryeministri dhe Diella. Ajo është këtu sepse ne nesër do t’i japim ryshfet, jo sot, do t’i japim ryshfet nesër”, ndërsa nga të tjerë u dëgjuan ironikisht “Zero korrupsion”.

“Diella”, protagoniste në Karnavalet e Vevçanit

Ironizimi i pushtetit dhe korrupsionit mbetet thelbi i karnavaleve të Vevçanit, të cilat sipas banorëve kanë një traditë mbi 2000-vjeçare dhe lidhen drejtpërdrejt me ardhjen e Vitit të Ri. Vevçanasit theksojnë se këto ditë janë një pasqyrë për politikanët, biznesmenët dhe figurat publike, pa dallim kombësie apo funksioni.

“Ne vevçanasit, 364 ditë të vitit nuk mbajmë maskë, ndërsa ditën e 365-të vendosim maskë. Ata që gjithë vitin mbajnë maskë në fytyrë, vijnë këtu për ta parë veten ashtu siç kanë qenë”, shprehen banorët, duke nënvizuar se gjithçka jonormale që ka ndodhur gjatë vitit shndërrohet në objekt talljeje publike.

Karnavalet përkojnë me festimin e Shën Vasilit, që në Maqedoninë e Veriut lidhet me Vitin e Ri. Edhe pse atmosfera shpesh krahasohet me festa të njohura europiane, vevçanasit theksojnë se dallimi qëndron te veshjet popullore tradicionale dhe trashëgimia autentike, e ruajtur brez pas brezi dhe e përqafuar sot edhe nga të rinjtë.

Këtë vit, Karnavalet e Vevçanit mblodhën mbi 400 pjesëmarrës të maskuar, duke konfirmuar edhe një herë këtë fshat si një nga skenat më unike të satirës politike dhe kulturore në rajon, ku ironia ndaj pushtetit mbetet pjesë e pandashme e festës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos