
Një rrëshqitje masive e tokës, është konstatuar në fshatin Vajzë të Vlorës në lagjen Sheraj, në vendin e njohur si Beun. A2 CNN raporton se rrëshqitja aktualisht po avancon drejt tre banesave të pabanueshme.
Sipas informacioneve zyrtare, situata po mbahet nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga shërbimet përkatëse, ndërsa terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe me rrezik të shtuar për zgjerim të rrëshqitjes, veçanërisht në rast të reshjeve të mëtejshme.
Fatmirësisht, nuk raportohet për banorë në rrezik të drejtpërdrejtë, pasi objektet e prekura janë të pabanuara, por autoritetet po monitorojnë nga afër zhvillimin e situatës për të ndërhyrë në kohë nëse rreziku përhapet. (A2 Televizion)