"Diktatori i së bukurës", reagime për ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit, Kabo: U shuajt fanari i madh i detit të filmit

Nga A2 CNN
1 Shtator 2025, 08:20 | Aktualitet

"Diktatori i së bukurës", reagime për ndarjen nga jeta

Për ndarjen nga jeta të regjisorit të shquar Dhimitër Anagnosti, ka reaguar edhe profesori dhe intelektuali i njohur Përparim Kabo. Me një mesazh prekës në rrjetet sociale ai e cilëson Anagnostin si fanarin e madh të detit të filmit. Profesor Kabo thekson se me ndarjen nga jeta të tij është shuar një institucion i vërtetë i artit. “Të përulem me respekt për artin që fale”, shkruan Kabo në postimin e tij.

Edhe regjisori Mevlan Shanaj, në një koment në Facebook teksa shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Dhimitër Anagnostit, e cilëson atë si diktator të së bukurës

“Lamtumirë "diktatori i së bukurës", maja e arritjeve artistike të ekranit shqiptar! Lamtumirë mjeshtri i ndërtimit të karaktereve shqiptare! Nuk ka më Anagnost ekrani, nuk ka një të dytë si ai! Shqipëria sot ka pësuar një humbje të madhe, sa e varfër kinemaja pa ty Anagnost! Sa të pasur na e ke lënë dijen për jetën shqiptare! Ngushëllime Roza, Juna, Era!”, shkruan Shanaj.

Regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në kinematografinë shqiptare.

Postimi i profesorit Përparim Kabos:

U shuajt fanari i madh i detit të filmit, filozofi ynë i pelikulës Dhimitër Anagnosti. Sa fat që ishim bashkëkohës me të dhe shijuam artin e tij.” Komisari i Dritës”, ” Dueli i Heshtur”, ” Plagë të Vjetra”, ” Në shtëpinë tonë”, “Malet me blerim mbuluar”, dhe më tej me kryevepra si “Lulëkuqet mbi mure”, “Përrall nga e kaluara”, “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, ” Gurët e shtëpisë sime”, “Gjoleka i biri i Abazit”. Mbeti skenar e më tej u kthye në roman një ngjarje shumë interesante titulluar: “Koburja nga Europa”.

Dhimitër Anagnosti ndërtonte figura filmike tejet organike, larg zbukurimeve si fiksion, kombinonte mrekullisht fizionominë dhe karakterin e artistit me tipologjinë dhe tiparet e personazhit. Filmi tij refuzoi deklarimet sepse ai si rrallë kush kombinoi imazhin me lojën, episodin, ngjarjet dhe tërësinë arkitektonike të filmit krejt organikisht.

U shuajt institucioni Dhimitër Anagnosti. Të përunjem me respekt për artin që na fale. Të falënderoj nga zemra për kohën e bisedave, telefonatave dhe mundësisë për një intervistim kur shkruajta shkrimin me titull: “Të faleminderit Anagnosti ynë”. Çfarë boshllëku po lë pas ” Felini” ynë. Deti Jonë nga sot do jetë i trishtuar, malet e jugut diçka do të murmurisin me erën, ullinjtë do të heshtin këtë vjeshtë. Ndofta tani si shpirt engjëllor, brigjeve të tjera deteve të eterit, sheh gjemitë e Anagnostëve që u nisën deteve dhe s’u kthyen më. Sa e dhimbshme do të jetë që tani e tutje për Rozën, trëndafilin tënd të jetës që nga viti 1965 që e shihnim pranë jush, do e takojmë pa Ty,  i paharruari, filozofi i kinematografisë shqiptare Dhimitër Anagnosti.

Me lotë në sy të themi qofsh me dritën e pasosur!

Panteoni i të Mëdhenjëve ju pret asaj bote të paqtë!

MIRENJOHJE, MIRENJOHJE, MIRENJOHJE!

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos