“Dje është shembur përfundimisht sistemi shëndetësor në Shqipëri”. Kështu u shpreh në studion e Ditarit me Bruna Çifligun juristi Skerdiljan Dhuli, sipas të cilit korrupsioni i mjekëve është hallka fundore. Ai akuzon kryeministrin Rama dhe thotë se dërgimi i pacientit te privati ishte e vetmja zgjidhje.
“Ishte një ngrehinë me shumë probleme, por ngjarja e fundit e rrëzoi përfundimisht. U shemb në themelet e veta te pjesa e luftës me jetën që është kanceri. Onkologjiku është më problematiku se një pjesë e pacientëve janë terminalë. Shteti duhet të ishte më profesionist dhe më human. Dje nuk ka ndodhur një problem, por është rrëzuar i gjithë sistemi që atë e kishte hallkën fundore. Korrupsioni nuk fillon te mjekët, ata janë hallka e fundit. Korrupsioni në sistemin shëndetësor është në formë piramide ku fillon nga kryeministrin deri te hallka e fundit. Ky shtet surrogato e ka lejuar që pacienti të shkojë te privati. Nuk e dërgonte mjeku, por se ishte e vetmja zgjidhje”.
Duke renditur problemet kryesore nga mungesa e barnave te mbingarkesa e QSUT-së juristi akuzon Agjencinë e barnave dhe Fondin e Sigurimit Shëndetësor. Sipas tij këto janë dy organizata kriminale, ndërsa akuza ngre edhe ndaj ish-ministrave Beqja dhe Manstirliu.
“Problemi kryesor ishte mungesa e barnave. Agjencia e barnave dhe Fondi i sigurimit shëndetësor janë dy organizata kriminale. Ministria bën tenderin sipas asaj që çon QSUT, por në momentin që këto mbarojnë, atëherë QSUT ka të drejtë të zhvillojë të drejtë me procedurë të përshpejtuar se spitali kërkon medikamente. Ogerta Manastirilu ka qenë në dijeni të kësaj çështjeje. Përveç mungesës së ilaçeve po bëhen dhe ndarja e terapisë; një terapi për dy pacientë. Ministrja ka qenë në dijeni se ka kërkuar që farmacia e QSUT të mos lëshojë më medikament të papërgatitur, por të përgatitur. Ilaçi të ishte i kontrolluar që persona të caktuar mos kishin mundësi të abuzonin. Për këtë kanë qenë në dijeni që kanë bërë këtë lloj parandalimi. KLSH e ka nxjerrë skëterrë. Fondi i menaxhimit duhet të kontrollonte shpenzimet dhe nuk e ka bërë. QSUT është kthyer problem se Shqipëria e gjithë shkon atje ka mbingarkesë. Spitalet rajonale janë me shërbim të cunguar ose referues drejt Tiranës. Sistemi është rrëzuar dhe tek ajo që duhet të ishte e shenjtë besimi pacient-mjek. Prandaj do të duheshin investimet në spitalet rajonale. Këta e torturojnë pacientin deri në atë qelizë sa t’u mërzitet jeta”.
Ai thotë se ministrja Manastirliu duhet të kishte reaguar që në vitin 2019 kur i ra në dorë raporti i KLSH, ndërsa ish-ministrin Ilir Beqja e cilëson shkatërruesin kryesor të sistemit të Shëndetësisë me ndryshimin e ligjit në 2014.
“E dini ju që një pjesë e medikamenteve në Shqipëri nuk certifikohen në Europë. Ilir Beqja është kryekorruptuesi dhe shkatërruesi i sistemit shëndetësor. Deri në 2014 certifikonte EMA në Shqipëri me ndryshimin e ligjit në Shqipëri hyjnë medikamente që nuk janë pjesë e EMA-s, me qëllim për të sjellë medikamente me çmim të ulët. Lista e barnave të rimbursueshme është monopol i një kompanie të vetme. Ka 4 vjet që nuk rimbursohen. Manastirliu do të duhet të reagonte në momentin që i ra në dorë shqetësimi në 2019. Duhet të shkonin në burg në 2019 jo në 2024. Gjeta në dosje një farmaci që është në mes të Tiranës që shet medikamente për spitalin onkologjik. Nuk gjen dot në Shqipëri medikamente të këtij niveli vetëm në një farmaci në qendër të Tiranës ngjitur me maternitetin Mbretëresha Geraldinë. Këto medikamente hyjnë kontrabandë QSUT duhet t’i blinte apo tenderonte. Unë mendoj që është bërë në mënyrë të qëllimshme. Këto medikamente duhet të ishin në spital. Kjo farmaci ishte oligarkja. Drejtoria e QSUT duhet të mbajë përgjegjësi penale”.
Dhuli nuk e shikon problemin te mjekët, por te sistemi, i cili sipas tij tani duhet të ndërtohet nga themelet.
"Ka ardhur momenti që këtij sistemi t’i shkohet në rrënjë. Siç njoh mjekë të korruptuar njoh dhe heronj. Shqipëria ka mjekë që do të ishin të aftë të punonin në çdo shtet të botës rreziku kryesor është që po çojmë në përplasje. Mjeku që ka dalë në këtë dosje në profesionin e vet është super i aftë dhe kjo ka sjellë që të shkojnë drejt privatit. 5 kirurgë ka spitali onkologjik, është e paimagjinueshme përballojnë të gjithë Shqipërinë. Mjekët nuk janë problemi por zgjidhja. Zgjidhjen e sjellin vetëm ata se ata e dinë se ku çalon sistemi. Nuk është normale që për shkak të gabimeve të dikujt të njollosen të gjithë. Tani që sistemi ra, do të duhet të ndërtohet”. (A2 Televizion)