Seanca e radhës ndaj deputetit demokrat Ervin Salianji në Gjykatën e Apelit, e caktuar për më 28 qershor, ora 10:00, nuk do të zhvillohet. Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm njoftoi se prokurori i çështjes ka depozituar një kërkesë për shtyrje të seancës. Në këtë kërkesë prokurori i Apelit pohon se nuk mund të jetë i pranishëm në seancë, për arsye objektive.
Seancat e kaluara të shqyrtimit të ankimit të Salianjit në Apel kundër dënimit me 1 vit burg për akuzën e "kallëzimit të rremë" kanë dështuar, kryesisht për shkak të mungesës së avokatëve, mungesa që janë arsyetuar me shkaqe objektive.
Në seancën e kaluar, avokatët e Geron Xhafajt, palë e dëmtuar në proces, pretenduan se shtyrjet nga avokatët e të pandehurve janë të qëllimshme. (A2 Televizion)