Tuneli i Llogarasë do të hapet më 5 korrik. Lajmin për hapjen e tunelit e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama përmes një postimi në Facebook.
“Tuneli i Llogarasë. 5 Korrik 2024”, shkruan Rama.
Ky tunel pritet që të shkurtojë distancën nga Dukati në Palasë nga 30 minuta në vetëm 7 minuta dhe do të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash.
Në tunelin e Llogarasë po punohet me tri turne, ku krahas tunelit po punohet edhe për rrugët lidhëse të kësaj vepre.
Teksa inspektoi punimet në fund të majit, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, njoftoi se këtë sezon nuk do të aplikohet asnjë tarifë për automjetet, të cilat do të kalojnë përmes tunelit.
“Deri në tetor do të funksionojnë normalisht, do të kemi disa kufizime përsa i përket shpejtësisë apo gjithçka tjetër. Policia do të jetë në monitorim të vazhdueshëm, në hyrje dhe dalje të tunelit. Këtë vit nuk do të aplikohet pagesa e tunelit pasi duhet të përfundojë i gjithë kantieri dhe parashikohet që të vazhdojë në vitet në vazhdim. Aplikimi i tarifës do të jetë pas vitit 2025 kur të dorëzohet ky si tunel i plotë bashkë me tunelin e emergjencës. Këtë vit do të jetë i aksesueshëm nën monitorimin e policisë rrugore, por me parametrat e plotë të sigurisë”, u shpreh Balluku. (A2 Televizion)