Duhet emergjencë kombëtare për të rishikuar sistemin arsimor në vendin tonë. Është ky apeli i një prindi nga Elbasani i cili ka marrë pjesë në protestën e sotme në kryeqytet, pas vrasjes së 14-vjeçarit pranë shkollës “Fan Noli”. Në një intervistë për A2 CNN ai tha se kjo ngjarje e rëndë rrezikon çdo fëmijë, teksa bën përgjegjës të gjithë institucionet.
“Ngjarja është e rëndë dhe rrezik për çdo fëmijë duke qenë kështu nuk mund të rrimë në heshtje. Nuk mund të japim zgjidhje vetëm për mbylljen e rrjeteve sociale. Institucionet duhet të jenë më të përgjegjshme kjo ngjarje është emergjencë kombëtare. Janë disa raste që fëmijët tanë humbin jetën brenda apo jashtë ambienteve të shkollës. Nuk është justifikim që ndodhi jashtë ambientit të shkollës reagimi i Ministrisë së Arsimit. Duhet emergjencë kombëtare për të rishikuar sistemin arsimor në vendin tonë”.
Sipas tij në vendin tonë nuk ka një strukturë efikase për të adresuar ngjarje të tilla, ai akuzon institucionet për mungesë serioziteti dhe reagimi.
“A ka plan masash pas vrasjes së të riut në Gramsh? A ka plan masash pas ngjarjeve të tjera dhe në Kamëz? Përderisa nuk ka plan masash, nuk ka seriozitet për të ndërmarrë plan. A duhet të kemi strukturë efikase kur ka raste të tilla? Duhet të paralajmërohen nga mësuesi kujdestar nga punonjësi social dhe SPZ e zonës. Përderisa nuk kemi reagim konkret, nuk kemi përgjegjësi nga institucionet tona”.
Prind i shkollës ku u rrah roja nga prindërit në Elbasan, ai thotë se në shumicën e rasteve nuk funksionojnë strukturat.
“Djali im është në shkollë publike në Elbasan. Në shumicën e rasteve nuk shohim që të funksionojnë strukturat. Ne ishim shkolla ku u rrah roja nga prindërit për një mosmarrëveshje, edhe kjo është e rëndë. Përderisa nuk kemi institucione të përgjegjshme që të ndërhyjë. Në çdo shkollë duhet të ketë oficer sigurie”.
(A2 Televizion)