Një fluks i shtuar automjetesh është regjistruar sot në pikën kufitare të Qafë Thanës, ku pjesa më e madhe e udhëtarëve janë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.
Djemë e vajza, por edhe familjarë nga Kërçova, Struga, Tetova dhe zona të tjera përreth janë shprehur për mikrofonin e A2 CNN se po vijnë për të ndjekur nga afër ndeshjen e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, që zhvillohet mbrëmjen e sotme.
Me flamuj kuqezi dhe nën ritmin e këngëve patriotike, ata tregojnë entuziazëm dhe besim për një rezultat pozitiv.
“Jemi gjithmonë pranë kombëtares. Sot nuk është thjesht një ndeshje, por një emocion i madh”, shprehen disa prej tifozëve.
“Nga Kërçova jemi. Për Shqipërinë, Kombëtaren normal. Atmosferën mendoj shumë të bukur, inshallah me fitore.”
“Sot presim një super ndeshje, një fitore shumë të madhe të Shqipërisë dhe presim me gol Jasir Asanin dhe Nedim Bajramin. Gjithmonë e ndjekim, edhe në Europian në 2016. Po Kombëtaren gati rregullisht e ndjek nga 2014.”
Sakaq, autoritetet kufitare në Qafë Thanë kanë angazhuar tre sportele në hyrje dhe tre në dalje për të përballuar fluksin, por gjithsesi janë krijuar radhë të gjata për shkak të numrit të lartë të mjeteve që hyjnë në territorin shqiptar. (A2 Televizion)