Që në orët e para të mëngjesit të sotëm qindra qytetarë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës i janë drejtuar bregdetit shqiptar, duke shënuar një nga flukset më të mëdha të ditëve të para të fillimit të sezonit turistik në vendin tonë.
“Për Shëngjin, dy ditë, vetëm fundjavë. Me familjen. Autostrada ishte plot."
“Prej Prishtine, qetë është. Në Shëngjin ose Velipojë."
Destinacioni kryesor për udhëtarët mbetet bregdeti shqiptar. Në mesin e tyre ndodhen edhe tifozë që kanë ardhur për të ndjekur ndeshjen Shqipëri – Serbi.
“Jemi tu shku me shiku ndeshjen, edhe po shpresoj që fitojmë. I kemi edhe të tjerë janë tu ardh qitash. Prej Rahovecit jemi”.
“Besoj se fitojmë, Është ndeshje shumë e madhe për neve.”
“I kena siguru biletat. Inshallah po fitojmë. Për atë po shkojmë.”
Për shkak të numrit të madh të mjeteve të vogla dhe autobusëve shumica prej tyre me targa të Kosovës, Dogana e Morinit ka hapur kufirin, me qëllim që të shmangen radhët e gjata.
Kjo është bërë në zbatim të marrëveshjes për qarkullim të lirë pa kontrolle kufitare. E njëjta procedurë është ndjekur edhe për automjetet me targa të huaja, përveç rasteve kur ka dyshime për shkelje apo rrezik.
Ndërkohe kompanitë turistike të Kosovës shprehen se ky sezon turistik do të jetë me një fluks të qytetareve të Kosovës që do të kalojnë pushimet në bregdetin shqiptar.
“Po, po ka kërkesa. Janë kërkesat e mjaftueshme. Janë kërkesat e mira dhe ne jemi mundu mi ndejt afër çdo kërkese. Ka filluar mbarë, ka me mbaru mbarë.” (A2 Televizion)