Gushti ka nisur me ritme të larta pasagjerësh në Vlorë, duke përmbushur pritshmëritë për një sezon turistik të mbushur me vizitorë nga jashtë vendit. Vetëm në orët e para të mëngjesit të së dielës, 1236 pasagjerë kanë zbarkuar në Portin e Vlorës me dy tragetet e linjës detare që lidh qytetin me Brindisin.
Autoritetet portuale bëjnë me dije për A2 CNN se fluksi ka qenë në rritje që prej fundit të korrikut, ndërsa piku pritet të arrihet gjatë javës së dytë të gushtit.
Masat e sigurisë dhe të menaxhimit të fluksit janë përforcuar. Në port janë vënë në funksion të gjitha sportelet.
Ky muaj pritet të sjellë një numër të lartë turistësh, por edhe shqiptarë, emigrantë që jetojnë në vendet fqinje dhe zgjedhin të kalojnë pushimet në atdhe.
Sipas të dhënave të siguruara nga porti detar i Vlorës ditën e shtunë kanë mbërritur në total 1600 pasagjerë dhe 365 autovetura. Ndërsa nëse marrin në referencë fundjavën, të shtunën dhe të dielën në Vlorë kanë mbërritur 2833 pasagjerë dhe 606 autovetura.
Me fluks të lartë në hyrje në portin detar të Vlorës ka qenë edhe dita e premte, ku në këtë port të premten kanë hyrë 701 pasagjerë si dhe 208 makina, 7 kampera si dhe autobusë. Në total duke marrë në referencë ditën e premte, të shtunë dhe të diel numri i pasagjerëve në hyrje në portin detar të Vlorës shkon 3534 pasagjerë si dhe 814 autovetura. (A2 Televizion)