Menaxhimi i situatave të emergjencave civile në qarkun e Gjirokastrës ka mbledhur në një tryezë ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, si dhe kryebashkiakët e këtij qarku. Ministri Vengu ka prezantuar fondin e qeverisë të vënë në dispozicion të bashkive për menaxhimin e këtyre situatave.
“Menaxhimi i situatave të emergjencave civile ka një kosto disa herë më të lartë sesa investimi paraprak. Për ta ritheksuar këtë, isha sot i pranishëm në Qarkun e Gjirokastrës, ku prezantova thirrjen e Qeverisë për Mbrojtjen Civile, e cila këtë vit ka vendosur në dispozicion të njësive bashkiake një fond të konsiderueshëm”.
Ai u bëri apel kryebashkiakëve që të aplikojnë duke prezantuar idetë për projektet që duhet t’i dorëzojnë deri më 25 nëntor.
“Së bashku me prefektin Odise Kote, Ministren e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, si dhe kryebashkiakët e këtij qarku, qartësuam situatën. Gjirokastra, Këlcyra, Përmeti, Tepelena, Memaliaj, Dropulli dhe Libohova nënvizuan problemet dhe nevojat e tyre, duke prezantuar idetë për projektet që duhet t’i dorëzojnë deri më 25 nëntor", njofton Vengu në faqen e Facebook.
Aplikimi i njësive vendore për fondin e Mbrojtjes Civile mund të kryhet nëpërmjet faqes zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes: https://www.mod.gov.al/.../6795-mbrojtja-civile-akmc. (A2 Televizion)