
Greva e përgjithshme në Itali ka nxjerrë mijëra studentë, punëtorë dhe familjarë në rrugë. Protestat dhe marshimet po zhvillohen në disa qytete të vendit, nga veriu në jug, ndërsa në disa zona janë regjistruar tensione me forcat e policisë dhe bllokime të institucioneve e infrastrukturës.
Në Cosenza, studentët dhe punëtorët kanë marshuar së bashku, të shoqëruar edhe nga traktorë. Në Palermo, rreth 2 mijë persona janë mbledhur në shesh, ndërsa në Pisa marshimi ka përfshirë mbi 2 mijë protestues.
Në Milano, qindra persona kanë dalë në rrugë që në orët e para të mëngjesit. Për shkak të protestës së studentëve është ndryshuar itinerari i marshimit. Ndërkohë, shërbimi i metrosë vijon normalisht, me të gjitha linjat në funksion.
Situatë më e tensionuar paraqitet në Torino. Rreth një mijë persona janë nisur në marshim nga Palazzo Nuovo. Gjatë protestës janë regjistruar shtyrje dhe përplasje mes policisë dhe disa manifestuesve autonomë. Gjithashtu, përpara bashkisë është hedhur pleh organik.
Në Napoli, në protestë janë bashkuar studentë, punëtorë dhe familje. Transporti publik, sipas informacioneve të raportuara, po funksionon normalisht.
Në Romë kanë nisur grumbullimet e para të studentëve, me grupet e para që janë drejtuar drejt stacionit Termini. Në Trieste, disa qindra protestues janë mbledhur në hyrje të portit, ndërsa në Livorno sindikata USB ka organizuar protesta dhe tubime në zonën portuale.
Sa i përket transportit, mëngjesi ka nisur pa probleme të raportuara në qarkullimin hekurudhor në Kalabri dhe Bolonja. Megjithatë, në Bolonja janë bllokuar hyrjet e disa shkollave të mesme.
Protestat janë pjesë e mobilizimit kombëtar kundër politikave që kanë nxitur thirrjen për grevë të përgjithshme. (A2 Televizion)