Gara në polici, zbulohen tre emrat që mund të drejtojnë Tiranën, Lezhën dhe Shkodrën

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2024, 12:08 | Aktualitet

Një ditë pasi Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve për përzgjedhjen e kandidatëve për drejtorë të Policisë në qarqet e vendit ka shpallur listën e pikëve të fituara nga secili kandidat gjatë procesit të konkurrimit, pritet që të nisin edhe ankimimet nga emrat e renditur poshtë numrit 12 në listë për pikëzimin e tyre.

Gazetarja e A2 CNN, Xhensila Kodra raportoi se sot dhe nesër do të kemi ankimime nga zyrtarët e policisë, të cilat duhet të bëhen pranë komisionit për të parë nëse pikëzimet janë bërë konform rregullave.

Sakaq pas përfundimit të ankimimeve dhe shqyrtimit të tyre, pritet që e enjtja të jetë dita kur Drejtori i Përgjithshëm i policisë, Ilir Proda të njoftojë edhe 12 emrat e drejtuesve në qarqe.

Ajo çka bie në sy në listën e pikëzimit është fakti se 12 emrat që janë vlerësuar me më shumë pikë, janë kryesisht të rinj që nuk kanë pasur pozicione më parë drejtuese në radhët e unfiromave blu në qarqe të ndryshme të vendit.

Duket se kemi të bëjmë me një gjenerate të re në polici siç edhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha deklaroi kur mori detyrën. Me pikët maksimale është vlerësuar Vilson Bala, i cili aktualisht është Drejtori i Forcave Operacionale dhe një nga emrat që përflitet se do të drejtojë Policinë e Tiranës, shkruan A2.

Emra të tjerë të përfolur sipas burimeve të A2 CNN nga grupi i komisionit që do të çojë në duart e Drejtorit të Përgjithshëm emrat janë edhe Luigj Vathi, të cilit mund t’i besohet policia e Lezhës, por edhe Gentian Berberi, i cili mund të jetë Drejtori i ri i Policisë së Shkodrës.

Gazetarja e A2 CNN, Xhensila Kodra tha po ashtu se të paktën deri në këto momente nuk ka pasur një njoftim zyrtar sesa është pikëzimi maksimal që duhet të merrte një drejtues policie për t’u emëruar si drejtor në nga 12 qarqet e vendit.

Ndërkohë, ajo që vihet re është se jashtë listës me 12 emra kanë mbetur thuajse të gjithë drejtuesit aktualë të policisë në drejtoritë vendore. Emra si Ermal Muça, Tonin Vocaj apo Gjovalin Loka e Skënder Hitaj janë renditur poshtë vendit të 12-të dhe pritet që sot dhe nesër të ankimojnë procesin pranë komisionit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos