“Gjirokastra komuniste”, tuneli i luftës tërheq kuriozët dhe nostalgjikët e huaj

Nga Rigels Malile dhe Gazmend Janku
8 Shtator 2026, 16:09 | Aktualitet

Tuneli i Luftës në Gjirokastër, i projektuar në fund të viteve ’70 si vendi ku udhëheqja lokale dhe drejtuesit e ushtrisë do të strehoheshin në rast të një sulmi masiv apo me armë bërthamore nga armiqtë e atëhershëm të vendit komunist, është një nga atraksionet turistike që vizitohet kryesisht nga turistët e huaj.

Së fundmi, ky muze ka pasuruar fondin e tij me veshje të Forcave të Armatosura dhe të shërbimit sekret, si dhe me literaturë të ndaluar të kohës.

“Brenda tunelit kemi një zhvillim të ri. Kemi investime të reja me veshje ushtarake dhe me libra të ndaluar të kohës, të cilat pasqyrojnë më tepër realitetin e asaj kohe dhe e pasurojnë me informacion të rëndësishëm tunelin për periudhën e diktaturës në Shqipëri”, tregon për A2 CNN Albana Ismaili, koordinatore e muzeut. “Kemi veshje ushtarake në përgjithësi, veshje oficerësh, veshje të oficereve femra, veshje të ushtarëve të thjeshtë, por edhe të zyrtarëve që punonin për Sigurimin e Shtetit”.

Në muze nuk mungon as portreti i ish-diktatorit Enver Hoxha, prania e të cilit shpjegohet në këtë mënyrë nga koordinatorja: “Ne, gjatë guidave brenda në tunel, u flasim për periudhën e luftës dhe pas luftës. Duke qenë se ai ishte strateg i luftës, si dhe udhëheqësi i popullit shqiptar për 40 vite pas luftës, besoj se ka një pjesë të rëndësishme brenda në këtë tunel. Edhe vizitorët, gjatë guidës, shfaqin një interes të veçantë për portretin e tij, sepse është realizuar bukur, por edhe për vetë personin e tij, si udhëheqës i popullit shqiptar”.

“Disa prej tyre janë të informuar që Gjirokastra është vendlindja e diktatorit, por u bën më tepër përshtypje paranoja ose frika që ai kishte gjatë luftës ose për luftën e supozuar me Rusinë, gjë që çoi edhe në bunkerizimin e Shqipërisë dhe në ndërtimin e këtij tuneli ku ne jemi”, shton Ismaili.

Tuneli-bunker ka një gjatësi prej rreth 800 metrash dhe brenda tij janë 59 dhoma, të projektuara për të kryer funksione të ndryshme sipas sektorëve në rast lufte. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos