Prenotime edhe në vjeshtë, hotelet në Vlorë të kënaqur me sezonin veror

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
8 Shtator 2026, 16:00 | Aktualitet

I ashtuquajturi sezon i lartë veror tashmë ka përfunduar dhe hotelet, si dhe resortet me kapacitete të konsiderueshme, kanë nisur të bëjnë llogaritë e kësaj vere në Vlorë. Ndonëse pushuesit vijojnë ende të shfrytëzojnë bregdetin, është krijuar një panoramë e kësaj vere, të paktën sa i takon fluksit dhe, natyrisht, çmimeve.

“Sezoni veror ka qenë shumë i mirë. Muajt qershor, korrik dhe gusht kanë qenë goxha të kërkuar nga turistët, kryesisht nga diaspora kosovare, por këtë vit kemi pasur edhe tregje të reja, siç mund të jetë tregu skandinav, ku vende si Norvegjia, Suedia apo Finlanda, për herë të parë po i shikojmë në mënyrë të përqendruar, duke ardhur në Vlorë për të kaluar pushimet e tyre”, thotë për A2 CNN Anisa Ceno, administratore hoteli në Vlorë.

“Sipas platformave online, resortet në Vlorë, hotelet apo edhe thjesht apartamentet janë vlerësuar me nota shumë pozitive. Çmimet në Vlorë, besoj se në dy-tre vitet e fundit janë stabilizuar, janë shumë më të qëndrueshme se sa ishte rritja fillestare pas periudhës së Covid-it”.

Ndonëse jemi zyrtarisht në vjeshtë, hotelet duket se do të vijojnë të presin vizitorë të paktën deri në fund të muajit tetor. “Për sezonin e vjeshtës, duke konsideruar këtu muajt shtator dhe tetor, mund të them se jemi të rezervuar kryesisht nga grupet turistike të moshës së tretë, të vendeve kryesisht të Europës Perëndimore, me një okupacion rreth 40-50%. Po flas këtu deri në datën 20-25 tetor”, thotë Ceno.

Zgjerimi i hartës së vendeve nga vijnë turistët dhe, natyrisht, zgjatja e sezonit, me synimin për një turizëm gjithëvjetor, duket se janë sfidat e asaj që duhet të jetë industria e turizmit në vendin tonë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos