Gjykata e Posaçme ka marrë vendimin duke rrëzuar kërkesën e bërë nga Jamarbër Malltezi për lirim nga masa “arrest në shtëpi”, duke e lënë në fuqi këtë masë.
Sipas mbrojtjes së Malltezit, një masë e tillë bie ndesh me prezumimin e pafajësisë. “Ka një praktikë të gjere të GJEDNJ, e cila sanksionon se kërkohen arsye të tjera në lidhje me vijimin e masës së sigurimit, gjë që në rastin konkret nuk ekzistojnë. Gjykata nuk mund të bëjë perifrazime të përgjithshme sipas dispozitave të Kodit të Procedurës Penale", janë shprehur avokatët në seancë, shkruan A2 CNN.
Sipas mbrojtësve, nuk ka asnjë provë, element apo të dhënë ku të justifikohet dyshimi i arsyeshëm.
"Masat e sigurimit nuk janë dhe nuk mund të jenë sanksione penale si dhe nuk mund të përdoren si mjet për të heshtur të pandehurin. Zoti Malltezi ka qenë në dijeni të procedimit penal që në 2020. Në mënyrë të ngjashme rreziku i presionit ndaj dëshmitarëve nuk mund të bazohet vetëm në mundësinë e një dënimi të rëndë, por duhet të lidhet me fakte specifike, gjë që në rastin konkret nuk ekzistojnë", kanë pretenduar mbrojtësit. (A2 Televizion)