Greqia ndihmon Pogradecin, bashkëpunimi i operatorëve do të sjellë 10 mijë turistë gjermanë

Nga Artin Halili
1 Qershor 2024, 11:11 | Aktualitet

Operatorët turistikë në Pogradec ndryshe nga vitet e tjera, këtë sezon kanë realizuar kontrata bashkëpunimi me operatorët turistike grekë të cilët do të sjellin më shumë se 10.000 turistë gjermanë në Pogradec. Samanda Kastrioti, menaxhere e një prej hoteleve të qytetit të Pogradecit thotë se këtë vit ky bashkëpunim do të sjellë turistë të shumtë dhe netë qëndrime më të gjata, pasi turistëve iu ofrohet një tur rajonal në disa qytete të juglindjes.

Gjatë këtyre 5 muajve në Pogradec kanë ardhur dhe kanë qëndruar më shumë se një ditë 18 mijë turistë të huaj. Fshati turistik i Linit mbetet edhe këtë vit nga më të kërkuarit nga turistët, edhe për shkak të Bazilikës që ndodhet në këtë fshat.

Turistët gjermanë, por edhe deri nga Zelanda e re shprehen të mahnitur me natyrën, ndërsa arsyeja të tjetër që vijnë është për të vizituar zonën ku u zbulua vendbanimi 8 mijëvjeçar në Lin.

“Ka qenë një udhëtim i gjatë dhe ne kemi shkuar në shumë qytete dhe jam shumë e impresionuar nga ky vend. Veçanërisht këtu në Ohër, është shumë bukur. Gjithashtu vlerësoj shumë Gjirokastrën, Beratin. Saranda ishte e bukur, por hotelet kushtonin shumë. Jam më e interesuar për historinë. Tani kemi ardhur këtu, mozaiku është shumë i bukur. Unë jetoj në Zelandën e re dhe kam ardhur këtu prej dy javësh. Kemi qenë në Gjirokastër. Tani kemi mbërritur këtu te liqeni, është bukur. Është një vend me shumë njerëz, lokale, ka një shëtitore shumë të bukur. Ne kemi shëtitur përreth liqenit për dy ditë me biçikleta. Tani duam të shkojmë në Strugë. Këtu na ka pëlqyer shumë ushqimi vendas”, shprehen turistët.

Në përfundim paketës për turistët  ofrohet edhe nata folklorike, ku grupet e valltarëve performojnë për ta valle nga të gjitha trevat e Shqipërisë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos