Krahasimi i Hamasit, të shpallur organizatë terroriste nga një pjesë e mirë e shteteve, përfshi edhe Shqipërinë, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, shkaktoi debat në studion e “Off the Record” në A2 CNN.
Sipas pedagogut Sokol Kondi, thirrjet e Izraelit për civilët palestinezë, se duhet të distancohen nga Hamasi, janë të njëjta me ato të serbëve, që u thoshin shqiptarëve të Kosovës në fillim të viteve 1990, që të distancoheshin nga UÇK.
“Nëse do të ishin distancuar kosovarët nga UÇK, a do të kishte Kosovë të lirë mendoni ju? Edhe Izraeli u thotë palestinezëve “distancohuni nga Hamas”. Këto janë thjesht lojëra fjalësh, retorika”, tha Kondi, shkruan A2 CNN.
Ky krahasim u kundështua nga eksperti i sigurisë, Xhavit Shala. “Nuk shkon fare, as për kulturën tonë, të krahasosh Hamasin me UÇK-në. Është skandal. Më vjen shumë keq” .
Pjesë nga debati
Kondi: Për të dy popujt konsiderohen lëvizje çlirimtare.
Shala: Nëse populli i Kosovës i konsumoi të gjitha rrugët legale... Nëse ju keni atë mendim, këtu mbyllet diskutimi.
Kondi: UÇK-në, Shtetet e Bashkuara në fillim e konsideruan organizatë terroriste. Gjërat nuk janë aq bardhezi siç i thoni ju. Gjërat ndryshojnë sipas orekseve të fuqive të mëdha.
Shala: Shtetet e Bashkuara luftuan nga ajri dhe UÇK-ja luftoi nga territori dhe çliruan Kosovën. Mos i ngatërro gjërat.
Kondi: Bashkë me SHBA, që i hoqën nga lista e organizatave terroriste. Kurse në këtë rast,
Shala: Kur e kuptuan se UÇK-ja bën luftë çlirimtare, e bën aleat.
Kondi: Lobi shqiptar në SHBA është shumë më i dobët se sa lobi hebre. (A2 Televizion)