Të martën nis Matura Shtetërore, maturantët para testit të Gjuhës së Huaj

Nga A2 CNN
1 Qershor 2025, 12:38 | Aktualitet

Të martën e 3 qershorit nisin provimet e Maturës Shtetërore. Gjuha e Huaj është testimi i parë i detyruar për afro 27 mijë maturantë në të gjithë vendin.

Provimi i standardizuar nis në orën 10 njëkohësisht nga 145 qendrat e testimit. Maturantët kanë 2 orë e gjysmë kohë për t’i dhënë zgjidhje pyetjeve me alternativa dhe zhvillim  të provimit të gjuhës angleze.

Ashtu si dhe vitet e kaluara, teza e provimit hartohet sipas tri niveleve të vështirësisë.  

Ndërkohë që maturantët nisin procesin më të rëndësishëm për  mbylljen e gjimnazit dhe orientimin drejt universiteteve, Rrjeti Akademik Shqiptar po përgatitet për hapjen e portalit U-Albania.

Katër provimet e detyruara të Maturës Shtetërore zhvillohen me një javë distancë nga njëri-tjetri. Pas gjuhës së huaj, më 10 qershor do të zhvillohet provimi kombëtar i gjuhës shqipe dhe letërsisë, ndërsa më 17 qershor testi për lëndën e matematikes.  

E pasi të rinjtë të kenë marrë disa prej notave të provimeve të zhvilluara, më 24 qershor japin testin e fundit, atë të Lëndës me Zgjedhje, provim që tregon dhe orientimin shoqëror apo shkencor të maturantëve që do të aplikojnë në universitete.

Arjan Xhelaj, kreu i Rrjetit Akademik Shqiptar tregon se të dhënat e maturantëve do të ngarkohen në sistem në fund të qershorit dhe pas një muaji hapet  kalendari i aplikimit për në shkollat e larta, sërish deri në 10 degë të preferuara për çdo kandidat.

Para nisjes së Maturës Shtetërore, Ministrja e Arsimit ka kërkuar nga administratorët e provimeve të respektojnë të gjitha rregullat e sigurisë që nga procesi i hapjes së tezës deri në përfundimin e provimit.

Referuar të gjitha viteve të kaluara, tezat e provimit janë shpërndarë në rrjetet sociale 30 pas nisjes së Provimeve Kombëtare, ku në disa raste janë publikuar edhe pyetjet e zgjidhura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos