“Ecole 42”, shkolla prestigjioze franceze e kodimit do të jetë tashmë edhe në Shqipëri. Pas përfundimit të Samitit të Komunitetit Politik të Europës, kryeministri Edi Rama dhe presidenti francez, Emanuel Macron , i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë, morën pjesë këtë mbrëmje në ceremoninë e hapjes së kësaj shkolle pranë Piramidës, shkruan A2 CNN.
“Për t’i dhënë dritën jeshile “Ecole 42”, shkollës prestigjioze franceze të kodimit, e pranishme në 31 shtete, e tashmë edhe në Shqipëri, si një strukturë e dedikuar drejt botës së teknologjisë”, shkruan Rama në llogarinë e tij në Facebook, përcjell A2 CNN.
Ecole 42, një shkollë tërësisht ndryshe nga shkollat tradicionale është një strukturë shumë e njohur tanimë në botën e teknologjisë, ku u ofrohet mundësia të gjithëve, pavarësisht moshës, pavarësisht backgroundit akademik, arsimit që kanë kryer, që të konkurrojnë për të hyrë në këtë shkollë, me një program shumë më specifik dhe inovativ. Kjo eksperiencë në vendet e zbatuara ka rezultuar shumë e suksesshme, pasi i ka dhënë mundësi shumë njerëzve te mbetur në kushte vulnerabiliteti për shkak të papunësisë, ose për shkak të humbjes së vendit të punës dhe mosgjetjes më vend në një profesion të caktuar, që të ndryshojnë tërësisht profil edhe të adaptohen me botën e re të teknologjisë.
Kryeministri Rama dhe Presidenti francez Macron biseduan me të rinjtë që gjendeshin në mjediset e reja të dedikuara, të cilët sollën eksperiencat e tyre personale të adoptimit me sukses në fushën digjitale.
(A2 Televizion)