
Pas bllokimit të shkaktuar nga reshjet e dendura të shiut, ka nisur puna për hapjen e rrugës Potam -Filikur.
Si pasojë e erozionit, u regjistrua rrëshqitja e murit mbajtës të rrugës, si dhe e një mase të konsiderueshme dheu, çka solli bllokimin e qarkullimit nga gurë dhe materiale të tjera inerte, shkruan A2.
Menjëherë pas konstatimit të situatës, mjetet dhe grupet e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike të Bashkisë Himarë ndërhynë në terren për pastrimin e rrugës dhe rikthimin e normalitetit në qarkullimin e mjeteve.
Autoritetet bëjnë me dije se po vijon monitorimi i çdo segmenti rrugor, si në zonën bregdetare ashtu edhe në fshatrat malorë, me qëllim identifikimin e problematikave të shkaktuara nga reshjet e javës së kaluar dhe ndërhyrjen e menjëhershme me riparimet përkatëse. (A2 Televizion)