Qepa dhe mjalti përbëjnë një nga kombinimet më të fuqishme natyrale për forcimin e sistemit imunitar dhe luftimin e infeksioneve respiratore, veçanërisht gjatë sezonit të gripit dhe virozave. Kështu u shpreh në Dita Jonë në A2 CNN, nutricionisti, Luçiano Bardhi, i cili theksoi se qepa është një “fabrikë biologjike” e pasur me përbërës esencialë për shëndetin. Sipas tij në ajo është mbretëreshë e kuzhinës së Shqipërisë, sepse futet në shumë produkte ushqimore.
“Qepa me mjaltë për mendimin tim përbën një kombinim shumë esencial për infeksionet respiratore dhe bajameve. Ndihmon dhe në forcimin e sistemit imunitar, të integritetit të zorrës së trashë, të barrierës intestinale, të mëlçisë, të stresit oksidativ. Përmban apigenin, luteolin, tricetin, taksifolinë dhe duke qenë se ajo zihet shumë pak, dy-tre minuta, e merr, e kullon dhe e bashkon me mjaltin, që mos fusim dhe shumë komponentë të tjerë, sepse e bëjmë si supë. Dhe më mirë dy kombinime, qepë, mjaltë”, tha Bardhi në Dita Jonë në A2 CNN.
Sipas tij, qepa mund të konsumohet e freskët në sallata, në supa me gatim të lehtë ose në kombinim me mjaltë, ndërsa sasia e rekomanduar është gjysmë deri në një kokërr në ditë.
“Mund ta konsumoj me pak vaj ulliri, me pak djathë, ose në supë apo në gatime të ndryshme me proteinë. Po edhe është shumë e kombinueshme. Pastaj në supë edhe nëse gatuhet me temperatura shumë të larta i humb vlerat. Nëse gatuhet 100-150 gradë mjafton me një supë, shoqërohet ose me paçen e viçit, me paçe të ndryshme. Është preferenca ime kombinimi i qepës me paçen. Në gjellë nuk është njësoj si në sallatë. Unë preferoj që ta konsumoj ashtu siç është e gjallë. Nëse flasim për sasinë ideale për shembull, do të duhej të ishte gjysmë kokrre. Gjysmë kokrre deri në një kokërr, por personalisht unë e konsumoj gati gjysmë ose një”, tha nutricionisti në Dita Jonë në A2 CNN.
Megjithatë, ai paralajmëron se personat që vuajnë nga gastriti, refluksi apo ulçera duhet ta shmangin ose ta konsumojnë me kujdes, pasi mund të shkaktojë shqetësime.
“Ata persona që nuk mund ta tolerojnë janë ata që kanë gastrit dhe që kanë ulçer. Këta persona nuk mund ta përdorin pa trajtuar njëherë ulçerën. Kjo kategori mund të ketë probleme me pjesën e përthithjes ose copëtimit të komponentëve organik që ka qepa”, theksoi Bardhi në Dita Jonë në A2 CNN.
(A2 Televizion)