Punonjësit e Portit të Vlorës prej dy muajsh pa paga, ja shkaku

Nga Edi Ruçi
14 Janar 2026, 11:01 | Aktualitet

Punonjësit e Portit të Vlorës prej dy muajsh pa paga, ja shkaku

Punonjësit e portit detar të Vlorës janë pa paga prej thuajse dy muajsh. Ata nuk kanë përfituar ende pagën e muajit Dhjetor. Shkak është bërë skadimi i kontratës së drejtuesit të portit aktual të Vlorës.

Bëhet me dije se drejtuesi i Portit të Vlorës e ka pasur kontratën deri në muajin nëntor, kohë kur punonjësit e Portit Detar kanë përfituar edhe pagën e fundit.

Sipas burimeve për A2 CNN nga Porti Detar i Vlorës, për muajin dhjetor punonjësit nuk janë paguar. Në datën 27 dhjetor duhet të hidhej edhe paga e fundit e vitit, por ndonëse kanë kaluar rreth 18 ditë nga afati i fundit i hedhjes së pagesës, këta punonjës vijojnë të jenë pa paga.

Porti Detar i Vlorës është nën varësinë e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Ndërkohë, dyshohet se problematikat e fundit në këtë ministri kanë sjellë edhe ngërçin në Portin e Vlorës.

Për të kaluar pagat, drejtuesit të Portit të Vlorës duhet t’i rinovohet kontrata, pasi aktualisht ai nuk ka kompetencën e firmës për të akorduar pagat.

Nuk ka ende asnjë informacion se si do të zgjidhet kjo situatë, nëse drejtuesit të Portit Detar do t’i rinovohet kontrata apo do të emërohet një drejtues i ri, i cili do të ketë të gjitha kompetencat për drejtimin e institucionit.

Janë dhjetëra familje të punonjësve të Portit Detar të Vlorës, të cilat mbahen nga këto paga. Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt në gjendjen ekonomike të familjeve të punonjësve të një prej institucioneve kryesore të qytetit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos