
Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik si rrallë herë janë angazhuar të sqarojnë popullatën në lidhje me raportimet e medias për qarkullimin e fruthit në vend. Përmes një videoje të regjistruar dhe shpërndarë nga zyra e shtypit në Ministrinë ë Shëndetësisë, epidemiologu Artan Simaku deklaron se aktualisht nuk ka raste pozitive me fruth dhe as vatra aktive të tij.
Në të njëjtën ditë përgjegjësja e programit te vaksinimit Rovena Daja ka dalë në një deklaratë për mediat duke theksuar rëndësinë e vaksinimit, ndërsa mes rreshtave theksoi se 2018 ishte viti më i keq nga shpërthimet e fruthit ku dhe humben jetën tri foshnja. Edhe pse aktualisht nuk ka raste me fruth sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik.
Këto institucione nuk deklarojnë zyrtarisht se sa ishte numri i fëmijëve që u preken nga shpërthimet e fruthit në ditët e fundit të 2025 dhe në javët e para të janarit.
A2 CNN raporton se planin e heshtjes së autoriteteve shëndetësore e prishi deputeti socialist Erion Braçe, i cili në fund të dhjetorit bëri publik gjendjen e rëndë të fëmijëve më fruth në pediatri, por edhe shqetësimin e tij dhe të mjekëve në lidhje me mosvaksinimin e fëmijëve të prekur.
Por burime për A2 CNN bëjnë të ditur se mbi 13 fëmijë, të pavaksinuar, janë prekur nga fruthi në javët e para të 2026-ës. Madje disa institucione arsimore jopublike të cilat pranojnë fëmijë edhe pa certifikatën e vaksinimit, kanë njoftuar në grupet e prindërve shpërthimin e fruthit dhe mbylljen e çerdheve e kopshteve sipas protokolleve të karantinimit.
Ndërsa më 30 janar gjatë një interviste për NEËSROOM, në A2 CNN, shefja e departamentit te sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino deklaroi se Shqipëria tashmë e ka humbur statusin e një vendi pa fruth, për shkak të rasteve të shtuara dhe uljes së vaksinimit.
Për ekspertët e Shëndetit Publik shqetësues është ulja e vaksinimit ndaj fruthit në vendin tonë, 83% me dozën e parë dhe 92% me dozën e dytë, larg shifrës 95% të vendosur nga OBSH, për të parandaluar shpërthimet epidemike.
Ndërkohe që grupimet e prindërve “No Vax” po rriten, Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Arsimit nuk kanë deklaruar se sa është numri i fëmijëve të pavaksinuar që frekuentojnë institucionet arsimore publike dhe jopublike. (A2 Televizion)