Dita e sotme ka nisur me rritje prej dy gradësh të temperaturave, duke lënë pas motin e acartë që shënoi ditët e para të kësaj jave. Meteorologia e A2 CNN Tanja Porja tha në “Dita Jonë” se temperaturat më të ulëta janë regjistruar në Dibër, ndërsa në mesditë pritet që termometri të shkojë 15 gradë celsius. Sipas saj, pas mesditës shtohen vranësirat.
“Kthjellime dhe vranësira. Në pjesën e dytë të ditës kemi shtim të vranësirave. Rriten 2 gradë temperaturat dhe maksimumi15 në mesditë. Temperatura nga minus 4 në 15 gradë celsius. Në zonat malore në verilindje; në Dibër termometri shënoi minus 4 gradë mëngjesin e sotëm në zonat e thella malore, në të tjerat në minus 2 gradë. Vranësira në zonat jugore qendër e verilindje. Rritja e ndjeshme e temperaturave do të ndjehet edhe në zonat malore ku maksimumi arrin në 10 gradë celsius”.
Rritja e temperaturave në mesditë do të ndjehet edhe në rajon.
Por si do të jetë moti në fundjavë? Meterologia Tanja Porja thekson se rritja e temperaturave do të vijojë edhe në tri ditët e ardhshme, ku termometri do të arrijë në 20 gradë.
(A2 Televizion)