“Ikni 1,5 km larg bregut”, ministria lë pa punë peshkatarët e Pogradecit

Nga Artin Halili dhe Gazmend Janku
24 Prill 2025, 15:14 | Aktualitet

Rreth 120 peshkatarë të licencuar të Pogradecit prej disa ditësh kanë ngelur pa punë pas urdhrit të Ministrisë së Bujqësisë sipas të cilit me qëllim mbrojtjen e disa specieve të peshqve te liqenit, si Krapi, Kles, Meren e të tjerë ndalohet hedhja e rrjetave deri në një distancë prej 1500 metra nga bregu.

Në këtë mënyrë peshkatarët janë të detyruar që në këtë distancë të mos hedhin dot rrjetat edhe për Koranin, një ndër peshqit kryesor për të cilët njihet Pogradeci dhe kulinaria e këtij qyteti turistik.

Ky vendim jo vetëm që u ka ardhur i papritur peshkatarëve por e shikojnë edhe të paargumentuar dhe penalizues për ekonomitë e tyre.

“Vetëm me grepa, me grepa ju e shikoni s’ka asnjë varkë, se nuk ka. Me grepa është të tallesh, nuk është të punosh e të çosh lekë në shtëpi.”

“Ne nuk kemi bukë të hamë, ne hymë në liqen, zëmë peshkun, e shesim që të ushqehemi."

Sipas peshkatarëve ndalimi i gjuajtjes së koranit do të ndikojë edhe në aktivitetin turistik të Pogradecit.

“Po ka sjellë, mungesën e koranit e ka sjellë. Në Pogradec, qytet turistik. Vjen tjetri nga Tirana, nga ana e botës apo nga jashtë e s’ka peshk ta hajë. Po ai për peshkun vjen, se përse të vijë, që të na shikojë neve. Për atë punë vjen, po hë gjeje ku e ke?”

Edhe pse peshkatarët janë pritur në bashkinë e Pogradecit deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nga Ministria e bBujqësisë për pretendimet e tyre. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos