Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë përmes një reagimi zyrtar ka treguar se cilët do të jenë përfaqësuesit e klerit katolik në vendin tonë që do të marrin pjesë në varrimin e Papa Franceskut, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në moshën 88 vjeçare.
Sipas njoftimit mësohet se përfaqësuesit e kishës katolike në ceremoninë mortore do të jenë Imzot Giovanni Peragine, Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pultit dhe Imzot Arjan Dodaj, Arqipeshkëv Metropolit i Tiranë-Durrësit.
Gjithashtu mësohet se ditën e enjte, më 24 prill, në orën 18:00, në katedralen e Shën Palit në Tiranë, do të kremtohet mesha për shpirtin e Papa Françeskut. Në këtë kremtim do të marrin pjesë të gjithë ipeshkvijtë e dioqezave dhe janë të ftuar të gjithë besimtarët të bashkohen në lutje për shpirtin e Papa Françeskut,
Po ashtu, Ambasada e Selisë së Shenjtë në Tiranë do të presë ngushëllimet e rastit në datat 23-24 prill 2025, në oraret 10:00-12:30 dhe 14:00-17:00. (A2 Televizion)