Në një takim me gazetarët, kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani ka shprehur qëndrimin e tij për ndryshimet e propozuara në Kodin Penal.
Dumani është shprehur pro disa ndryshimeve, duke u ndalur në veçanti tek dënimet për llojet e drogave, ku më herët ka pasur propozime nga ekspertë të fushës për masa më të lehta ndaj shpërndarësve të dozave të vogla.
“Debati mbi Kodin Penal është i pritshëm, për shkak se ka një rëndësi jetike për shtetin ligjor. Pas Kushtetutës, në hierarkinë ligjore. Debati që duhet të bëhej është a është i nevojshëm një Kod i ri Penal. Unë mendoj se duhen bërë disa ndryshime, për vepra penale që parashikojnë dënime të rënda. Një rast, që më vjen në mendje është prodhimi dhe shitja e narkotikëve. Ka ardhur koha të ketë diferencim të dënimeve për llojet e drogave. Mos jetë i njëjti dënim, si për kokainën, si për kanabisin, apo drogat sintetike”, është shprehur kreu i SPAK.
Më tej, Dumani ka deklaruar se ende nuk kanë marrë zyrtarisht draftin. “Nuk kemi qenë pjesë e draftit. Kam parë qëndrimin e Prokurorit të Përgjithshëm dhe në shumë gjëra bashkohem me të”, ka thënë ai për gazetarët. (A2 Televizion)