Kontrata, bumerangu i mjekësisë? Ulen ndjeshëm kërkesat, 1200 kandidatë për 436 kuota

Nga Ornela Joti
19 Gusht 2025, 14:03 | Aktualitet

Kontrata detyruese ndaj mjekëve të rinj, për të punuar deri në 3 vjet pas studimeve në Shqipëri, po kthehet në bumerang për Universitetin e Mjekësisë. Si asnjëherë më parë, dega e Mjekësisë së Përgjithshme këtë vit ka shënuar numrin më të ulët të kërkesave dhe ndoshta edhe konkurrencës për këtë program studimi. Vetëm 1200 maturantë konkurrojnë për 436 vende, një raport që rrit shanset e kandidatëve për të hyrë në Mjekësinë e Përgjithshme.

Kandidatët dhe prindërit e tyre tregojnë se tashmë e kanë firmosur kontratën detyruese me universitetin, para se të aplikonin për konkursin e Mjekësisë. Ata e cilësojnë një nismë jo të drejtë, edhe pse aktualisht janë fokusuar te rezultatet e konkursit, shkruan A2 CNN.

Ndryshe nga vitet më parë, ka shumë të rinj që po zgjedhin degët e mjekësisë në universitetet private. Edhe pse po i nënshtrohen konkursit në universitetin publik, kandidatët nuk hezitojnë të thonë se mes dy fitoreve për të njëjtin program do të zgjidhnin studimet në privat.

Konkursi për degën e Mjekësisë së Përgjithshme në universitetin publik do të zgjasë deri të premten, më 22 gusht. Vetëm pas përfundimit të tij do të shihet se sa është numri i kandidatëve që i janë nënshtruar konkursit, pavarësisht aplikimeve.

Ndërkohë, 436 të rinjtë fitues do të jenë brezi i parë në Mjekësinë e Përgjithshme ndaj të cilëve aplikohet kontrata detyruese për të punuar në vend, për të shmangur pagesën prej 2 deri në 4 mijë euro për vit studimi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos