
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë priti sot Ambasadorin e Italisë në Tiranë, Sh.T. Marco Alberti, i cili mbajti një leksion të hapur me temën “Re-designing the Future: Accession of Albania to the EU”.
Në fjalën e tij, Ambasadori Alberti analizoi kontekstin global dhe sfidat e ndërlidhjes në Europën e sotme, duke theksuar se anëtarësimi i Shqipërisë në BE duhet parë si një ribashkim natyral i hapësirës evropiane, dhe jo vetëm si një proces teknik zgjerimi.
Ai rikonfirmoi rëndësinë e reformave cilësore dhe rezultateve të matshme për një proces negociues të suksesshëm, duke kujtuar se Italia mbetet një aleate strategjike e Shqipërisë, e angazhuar fuqimisht në mbështetjen e institucioneve, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.

Presidenti i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë, Prof. Dr. Anastas Angjeli, përshëndeti leksionin dhe vuri në dukje rolin historik të integrimit evropian për vendin: “Shqipëria është një vend evropian në historinë, kulturën dhe aspiratat e saj. Integrimi në Bashkimin Evropian është destinacioni ynë kombëtar natyral dhe vizioni për të cilin punojmë çdo ditë,” – u shpreh Prof. Dr. Angjeli.
Duke iu referuar veçanërisht rolit të Italisë në këtë proces, ai shtoi: “Italia është partneri ynë strategjik më i qëndrueshëm. Mbështetja italiane ka qenë e plotë, e sinqertë dhe e pandërprerë — jo vetëm për procesin e integrimit evropian, por në çdo reformë të rëndësishme që ka transformuar Shqipërinë. Kjo miqësi është një pasuri kombëtare dhe një garanci për të ardhmen e vendit,” deklaroi Prof. Dr. Angjeli.

Ai theksoi gjithashtu se Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë ka një sërë marrëveshjesh bashkëpunimi me universitete të ndryshme italiane, veçanërisht me Universitetin e Viterbos “Tuscia”, me të cilin bashkëpunon për diploma të dyfishta në ciklet master dhe doktoraturë, dhe se ky partneritet do të zgjerohet më tej në të ardhmen.
Leksioni u ndoq nga studentë dhe akademikë, duke vazhduar dialogun e thelluar mbi të ardhmen evropiane të Shqipërisë dhe marrëdhënien e saj të veçantë me Italinë. (A2 Televizion)