
Ndryshimi i pushtetit me dhunë, nuk ka për të ndodhur. Këtë përgjigje u dha kryeministri Edi Rama protestuesve të cilët prej ditësh kërkojnë dorëheqjen ne tij. Në takimin në Ministrinë e Arsimit me drejtuesit e shkollave të Tiranës, kreu i qeverisë përsëriti se me dhunë nuk ka shans të imponohet asnjë lloj agjende dhe asnjë lloj ideje alternative, por u shpreh i gatshëm për komunikim.
“Është e shkruar e zeza mbi të bardhë vetëm shteti mund të ushtrojë forcë dhe ka të drejtë ta ushtrojë forcën në mënyrë proporcionale dhe aty ku liria e disave kalon kufirin dhe cenon lirinë e të tjerëve. Aty ku e drejta e disave kalon kufirin dhe cenon të drejtën e të tjerëve, aty shteti hyn dhe përdor monopolin e forcës. Askush tjetër nuk mund të përdorë forcë në demokraci për asnjë arsye. në kushtet kur janë të hapura rrugët e dialogut dhe unë e kam thënë gjithnjë dhe e përsëris në çdo rast dhe për çfarëdo arsye që kërkohet komunikim me mua apo me qeverinë ne jemi aty jemi gati. Unë komunikoj vazhdimisht edhe në telefonin tim me njerëz që shkruajnë. Unë për të sjell çdo mesazh që më vjen tani ka dhe raste kur ka shumë edhe nuk i ndjek dot të gjitha, por i përcjell tek ministrat për t'i ndjekur kur bëhet fjalë për ankesa e tjerë e të tjerë. Jo më pastaj të dëgjoj ata të cilët kanë nevojë të më thonë atë që mendojnë, qoftë dhe të vijnë përballë dhe të thonë ti duhet të largohesh, sepse ne kemi këto arsye për të të bindur që ti është mirë të hapësh krahun se ne kemi një tjetër qasje, kemi një tjetër program. Pavarësisht se populli ka votuar për ty dhe për partinë që ti drejton, shikoje njëherë se çfarë idesh të jashtëzakonshme kemi ne dhe se si ne kemi gjetur çelësin për ta bërë jetën më të lirë, për t'i bërë të gjithë jetojnë më mirë dhe le të hapim këtë diskutim dhe jam i gatshëm pa kushte të dëgjoj këdo, kudo, kurdo, por me këtë, me këtë jo vetëm që nuk ka shans të imponohet asnjë lloj agjende dhe asnjë lloj ideje alternative”.
Ai paralajmëroi se personat që përfshihen në akte dhune duhet të përballen me ligjin dhe njoftoi qeveria po përgatit një paketë masash që, përveç aspektit penal, do të përfshijë edhe masa administrative për dëmet e shkaktuara gjatë protestave.
“Me këtë (dhunën), kush përdor këtë mundësitë i ka dy; Ose të shpëtojë falë maskës edhe këmbëve të shpejta, ose të shkojë dhe të përgjigjet përpara ligjit dhe të përgjigjet dhe përpara shoqërisë. Sepse ne siç e thashë edhe dje jemi duke punuar intensivisht për të përgatitur një paketë masash. një paketë masash të natyrës jo thjesht penale por të natyrës administrative sepse kush shkatërron duhet të paguajë".
Ai theksoi se dëmet e shkaktuara nga protestat detyrojnë institucionet të devijojnë fondet e planifikuara për shkolla, çerdhe dhe kopshte drejt riparimeve.
“Kush dëmton pronën e tjetrit, kush dëmton pronën publike, kush shkul pllakat e trotuareve që shtrohen me paratë e taksapaguesve të këtij qyteti. Dhe kush detyron dhe i imponohet bashkisë së qytetit, i imponohet qeverisë që çfarë ka planifikuar për ta çuar për shkolla, për ta çuar për çerdhe, për kopshte, duhet ta çojë për riparime, duhet të përndiqet nga hija e shtetit që i vjen pas dhe i kërkon deri në fund një dëmshpërblim”, theksoi Rama.
(A2 Televizion)