Kredi me zero interes për 92 punonjës të policisë, Balla: Sot miratojmë vendimin për trajtimin ushqimor

Nga A2 CNN
20 Dhjetor 2023, 11:49 | Aktualitet

92 punonjës të policisë kanë përfituar nga kreditë me zero interes për strehim. Në fjalën e tij, Ministri i Brendshëm i kërkoi ministrit të Ekonomisë dhe Financave që të rritet mosha e përfituesve nga 40 në 45 vjeç.

“100 kredi për shtëpi me zero interes. Javën e ardhshme ftoj kryeministrin që të shkojmë së bashku në disa nga shtëpitë e djemve dhe vajzave deri në moshën 40 vjeç dhe përfitoj nga rasti t’i kërkoj ministrit të Ekonomisë që ta rrisim moshën dhe ta çojmë në 45 vjeç dhe besoj që do gjejmë mirëkuptimin tuaj në buxhet për të ngritur moshën”.

Balla theksoi se 9934 punonjës policie që kanë nevojë të trajtohen me kredi me zero interes dhe premtoi se deri në vitin 2025 do të përmbyllen të gjithë.

“Kemi 9934 punonjës policie që kanë nevojë të trajtohen me kredi me zero interes. Vitin e ardhshëm të kemi të paktën 300 punonjës të policisë që të përfitojnë dhe në 2025 të përmbyllim edhe 500 të tjerët që kanë nevojë të trajtohen me kredi me interes zero”.

Ministri njoftoi gjithashtu se në mbledhjen e sotme të qeverisë do të miratohet projektvendimi për trajtimin ushqimor të punonjësve të policisë dhe studentëve të Akademisë.

“Miratojmë pas pak projektvendimin për trajtimin ushqimor për çdo punonjës policie dhe studentëve të Akademisë së Policisë për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare një problematike të trashëguar në vite. Kryeministri ka dashur ta bënim prej vitesh, por tani u poqën kushtet ekonomike dhe financiare dhe sot qeveria miraton projektvendimin për pagesën e prapambetur të ushqimit për vitin 2023 dhe kjo do të jetë një politikë e vazhdueshme”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos