“Kur do të vijë uji”? Koha mesatare e furnizimit rritet, por jo mbulimi

Nga Marjo Brakaj
19 Mars 2025, 15:02 | Aktualitet

Reforma po kuron disa plagë, por jo sëmundjet të kthyera në gati të pashërueshme në sektorin e  ujit. Edhe vitin e shkuar, për më shumë se 61 për qind të ujit të harxhuar nuk u mblodh asnjë lekë. Në raport me 2023-shin, treguesi i “ujit pa të ardhura” u përmirësua fare lehtë.

Riorganizimi në vetëm 15 nga 58 shoqëri ujësjellësish që ishin nuk ka sjellë rezultate as në drejtim të gjeografisë së mbulimit me ujë. Treguesi ra në 72.2 për qind të totalit të territorit nga 75.3 për qind gjatë 2023-shit.

Ku tregues është larg synimit për të mbuluar me furnizim gjithë territorin e vendit.

“Realisht ky është një objektiv ambicioz. A mund të arrihet? Mendoj se po të punohet shumë, edhe mund të arrihet”, tha Adelina Farrici, Drejtoreshë, Shoqata për Autonominë Vendore.

Lajmi i mirë në raportin vjetor të Entit Rregullator të Ujit për vitin e shkuar është ai për uljen e punësimeve në sektor. Numri i të punësuarve ra në 4.56 për çdo një mijë lidhje nga 4.73 që ishte gjatë vitit 2023. Sipas Entit, beteja për ujin e pijshëm, i cili ende vijon të jetë i rrallë dhe me ndërprerje për shumë familje shqiptare, do mund të quhet gati e fituar vitin e ardhshëm.

Qeveria planifikon që nga mesatarisht 17.3 orë në ditë aktualisht, koha e furnizimit të rritet në 19 orë.

“Mendoj se është pozitive. E dimë që shumë ujësjellës kanë probleme financiare ndaj kanë patjetër nevojë për mbështetje”, tha Farrici.

Në zonat bregdetare, të cilat pritën këtë vit turistë si kurrë më parë, koha mesatare e furnizimit me ujë parashikohet të arrijë në 21 orë, nga 18 orë në ditë aktualisht. Për të dëgjuar sa më pak pyetjen “Kur do të vijë uji”?, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vënë në dispozicion 4.5 miliardë lekë ose rreth 44 milionë euro vetëm për vitin e ardhshëm. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos