"Harta e re gjyqësore nuk cenon të drejtën e aksesit të qytetarëve në Gjykatë dhe barazinë para ligjit". Në këtë vendim ka dalë sot Gjykata Kushtetuese, e cila ka rrëzuar kërkesën e Dhomës së Avokatisë dhe Komitetit të Helsinkit. Në argumentin e dhënë, “Kushtetutesja” argumenton se me hartën e re respektohet proporcionaliteti.
“Në lidhje me pretendimet për cenimin e lirisë së veprimtarisë ekonomike, Gjykata argumenton se edhe pse ka një kufizim, sërish respekton kriterin kushtetues të proporcionalitetit të ndërhyrjes.
Sa i përket pretendimit tjetër, për cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit, për Gjykatën, harta e re ka sjellë një diferencim, në rastin konkret ekziston një përligje e arsyeshme dhe objektive
Sa i përket pretendimeve për cenim të aksesit në Gjykatë, “Kushtetuesja”, ka dalë në përfundimin se kjo e drejtë nuk është cenuar në atë nivel që pasojat negative të jenë më të rënda se sa e drejta për eficencë, efikasitet dhe cilësi, pra sipas tyre nuk cenon parimin e proporconalitetit”, thuhet ndër të tjera në argumentin e Gjykatës Kushtetuese.
Që do të thotë se do të jenë 13 gjykata të shkallës së parë, 2 gjykata administrative dhe 1 gjykata Apeli për të gjithë vendin. Harta e re gjyqësore u miratua në korrik të këtij viti, pa marrë parasysh bojkotin e avokatëve që vijoi për disa ditë më radhë. (A2 Televizion)