Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave janë miratuar dy akte që i hapin rrugën shtyrjes së afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identitetit për shtetasit me vendbanim brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, të cilave u ka skaduar ose u përfundon ky afat në datë 11 maj 2025.
“Miratimi i akteve normative merret me qëllim garantimin e të drejtës kushtetuese së të gjithë shtetasve për të votuar pa pengesa, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Sipas këtij vendimi, afati i vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit, letërnjoftime elektronike dhe pasaporta biometrike që përfundojnë në datën 11 maj 2025 - shtyhet deri në datën 31 maj 2025”, njofton Ministria e Brendshme.
Vendimi vjen 24 orë pasi Partia Demokratike, përmes Oerd Bylykbashit kërkoi zgjatjen e vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, për të lejuar në këtë mënyrë edhe 466 mijë qytetarë që nuk kanë një dokument të vlefshëm të votojnë ditën e dielë.
Ndërkohë, në muajin shkurt u miratuan Aktet Normative, që i hapën rrugë shtyrjes së afatit të vlefshmërisë së dokumenteve edhe për shtetasit shqiptarë në diasporë, që për herë të parë votojnë në zgjedhje, përmes postës.
Ministria e Brendshme bën me dije se në bashkëpunim me KQZ, institucionet e varësisë, si shërbimin e Gjendjes Civile, apo agjencitë e tjera, ka ndërmarrë të gjitha masat në përmbushje të detyrimeve ligjore, për të siguruar që procesi zgjedhor i 11 Majit të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe pa pengesa për qytetarët jashtë dhe brenda kufijve.
Në komunikatë bëhet me dije se Policia e Shtetit do të kalojë në shërbim të përforcuar për të përballuar me sukses procesin para, gjatë dhe pas mbylljes së votimit, duke zbatuar me korrektësi ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor. (A2 Televizion)