Ndër akset që do të bllokohen për shkak të aktivitetit të “Giro d’Italia 2025” në vendin tonë janë edhe “Karinë – Peqin – Bradashesh – Shijon – Gracen”. Policia e Shtetit ka bërë të ditur se në këto akse nuk do të lejohet qarkullimi gjatë orës 11:30 – 15:30.
“Në kuadër të garës ndërkombëtare çiklistike “Giro d’Italia 2025”, që do të zhvillohet më 9 maj 2025, në Elbasan, Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka ndërmarrë një sërë masash për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e këtij aktiviteti sportiv. Masat që do të zbatohen në territorin e qarkut Elbasan janë:
Bllokimi i përkohshëm i qarkullimit në aksin rrugor:
“Karinë – Peqin – Bradashesh – Shijon – Gracen”, gjatë orarit 11:30 – 15:30.
Ndalimi i qarkullimit dhe ndalimi i daljes në këtë aks nga rrugët dytësore përgjatë segmentit të garës.
Moslejimi i lëvizjes së kamionëve që vijnë nga Qafë Thana, gjatë orarit të aktivitetit”.
Policia këshillon qytetarët që të ndjekin rrugët alternative dhe kërkon mirëkupimin e tyre.
“Rrugë alternative për në drejtim të jugut: Për mjetet që udhëtojnë nga Qafë Thana, Librazhdi dhe Elbasani, në drejtim të jugut, orientohen të përdorin aksin rrugor alternativ “Elbasan-Kryqëzimi i Cërrikut-Cërrik-Belsh-Kuçovë". Këto masa kanë për qëllim të garantojnë sigurinë rrugore, mbarëvajtjen e garës dhe minimizimin e ndikimit në lëvizjen e qytetarëve dhe mjeteve. Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan falënderon drejtuesit e mjeteve dhe qytetarët për mirëkuptimin gjatë këtij aktiviteti çiklistik, si dhe apelon dhe kërkon mirëkuptimin e qytetarëve që të shmangin qarkullimin në akset rrugore që janë pjesë e itinerarit, në oraret e zhvillimit të aktivitetit dhe të përdorin rrugë alternative”.
(A2 Televizion)