Lamtumirë Gert Bogdani! Politika bashkohet në nderimet e fundit

Nga A2 CNN
19 Shtator 2024, 12:23 | Aktualitet

Në sallën e Kuvendit zhvillohen sot homazhet për ish-deputetin e ndjerë Gert Bogdani. Ai u shua në moshën 44-vjeçare një ditë më parë, si pasojë e një arresti kardiak. Kolegët demokratë, krerët e shtetit dhe politikanë të të gjitha kaheve i shprehen ngushëllime familjes për ndarjen e parakohshme nga jeta.

Pas homazheve një mesazh ngushëllimi përcolli edhe Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. “Ishte një njeri me një jetë të mbushur aktive, qoftë publike, qoftë politike. Ngushëllime familjes!”

“Gerti vërtet sot udhëton drejt parajsës, por me atë bindjen e madhe që ai dinte dhe kishte ndërtuar parajsën e tij të vogël, në familjen e tij, në shoqërinë e tij. Pse jo edhe te imponimi që sillte në Kuvendin e Shqipërisë si zë i fortë, me imponimin që sillte me zërin e tij në politikën shqiptare dhe me zërin e tij si njeri, shembull i të rinjve që duhet të ndërtojnë një karrierë politike të ndershme dhe të përkushtuar siç e kishte Gerti Bogdani”, tha Bylykbashi.

“Dua t’i bashkoj të gjithë ngushëllimeve dhe dhimbjes që gjithkush e ndjen dhe e ndan sot dhimbjen e të gjithë kolegëve tanë të grupit të PS që janë sonë këtu për të përcjellë mikun e tyre, kolegun e tyre, një njeri me kaq shumë vlera dhe që do t’i mungojë familjes, miqve, por edhe politikës shqiptare sepse përfaqësonte një standard për t’u mos u humbur, por për t’u ndjekur. Kjo është jeta dhe mbase këto momente do të duhet të na bëjnë më të mirë”, tha Niko Peleshi.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, nuk mundi që t’i jepte lamtumirën e fundit ish-deputetit Gert Bogdani për shkak të arrestit shtëpiak. Në emër të familjes Berisha, një mesazh ngushëllimi pas homazhe përcolli bashkëshortja e liderit të PD, Liri Berisha. “Nuk gjej fjalë në këtë dhimbje të madhe të bëj një ngushëllim sepse asgjë nuk ka vlerë në këto momente sesa jeta e atij që iku. Në pozicionin e nënës, dua të ngushëlloj prindërit dhe lutem bashkë me ta të gjejnë forcë për ta kapërcyer këtë dhimbje. Edlirën, para së cilës dalin sot detyra shumë të rënda dhe të vështira për t’i kryer. Ngushëllime të gjithë miqve dhe shokëve me të cilët ai bëri një rrugëtim kaq të shkurtër, por të bukur. Do ta kujtojmë gjithmonë me shumë dashuri, shumë respekt dhe shumë mirësi”, tha Liri Berisha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos