Qytetaria e Gert Bogdanit dhe respekti që kishte krijuar me natyrën e tij larg konflikteve, u shfaq në oborrin e Parlamentit, ku paraditen e të enjtes mijëra qytetarë, krerët e Shtetit dhe personalitete të të gjithë spektrit politik, u bënë bashkë për t’i dhënë lamtumirën ish-deputetit që u shua në moshën 44-vjeçare një ditë më parë, si pasojë e një arresti kardiak.
Gert Bogdani kaloi për herë të fundi pragun e parlamentit, vend të cilin për tetë vite shërbeu si përfaqësues të qytetarëve me mandatin e deputetit në vitet 2009-2017. Këtë të enjte, ishin qytetarët që përfaqësuan atë.
Për tri orë rresht me mijëra dashamirës qëndruan në radhë për t’iu drejtuar më pas arkëmortit të Gert Bogdanit duke i dhënë lamtumirën e fundit.
Si rrallë herë politika dhe krerët e institucioneve shtetërore u bënë bashkë për të nderuar një prej radhëve të veta, që pavarësisht pikëpamjeve e dallimeve nuk e donte konfliktin dhe përplasjen.
Të parët në homazhe ishin përfaqësuesit e Partisë Demokratike, forcë me të cilën u bë edhe deputeti më i ri i Parlamentit në moshën 29-vjeçare.
Politikani konstruktiv, kishte arritur të krijonte respekt edhe te kundërshtarët. Kryeparlamentarja Elisa Spiropali, Ministra e deputetë socialistë u bënë gjithashtu pjesë e nderimeve të fundit.
Për dy arsye të ndryshme munguan Edi Rama dhe Sali Berisha, me kryeministrin që axhenda e kishte dërguar në Bruksel, ndërsa kryedemokrati i bllokuar brenda shtëpisë nën masën e arrestit. Të dy u përfaqësuan në homazhe nga zonjat përkatëse.
Pas lamtumirës në ceremoninë shtetërore, ishte radha familjarëve që të përcillnin Gert Bogdanin drejt banesës së fundit në varrezat e Sharrës, në Tiranë. (A2 Televizion)