“Librazhd-Prrenjas”, kreu i ARRSH: Do ndërtohet rrugë alternative dhe do shembet ura e dëmtuar

Nga A2 CNN
24 Shkurt 2026, 18:07 | Aktualitet

“Librazhd-Prrenjas”, kreu i ARRSH: Do ndërtohet rrugë

Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli, përmes një konference për mediat tha se shkaqet kryesore të dëmtimit të urës te “Arrat e Gurrës” kanë qenë reshjet intensive të shiut, si dhe erozioni lumor dhe saturimi i tokës, raporton A2CNN.

Kozeli tha se është marrë vendim për të ndërtuar një rrugë alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin, derisa të stabilizohet situata me rrëshqitjet. Po ashtu drejtuesi i ARRSH komunikoi vendimet për të prishur urën e dëmtuar si dhe devijimin e rrjedhës së lumit, që aktualisht godet trupën e hekurudhës. 

Nga analiza e kryer rezulton se shkaku kryesor i kësaj situate mbetet ndikimi i reshjeve intensive dhe të shtrira në kohë të gjatë, erozioni lumor, si dhe saturimi masiv i tokës, gjë që ka çuar në një rrëshqitje masive aktive dhe pamundësi për ndërhyrje të menjëhershme derisa të merren rezultatet e raportit gjeologjik. Në mbledhjen e sotme të Këshillit Teknik të përbashkët midis ARRSH dhe Hekurudhës Shqiptare, me pjesëmarrje edhe të stafit akademik nga Fakulteti i Gjeologjisë së Ndërtimit, gjeologëve, projektuesve dhe mbikqyrësëve të ngarkuar, u morën këto vendime: Ndërtimi i një rruge alternative përgjatë hekurudhës në shtratin e lumit Shkumbin për të mundësuar kalimin e trafikut deri në stabilizimin e plotë të rrëshqitjes. Prishja e urës ekzistuese, tashmë jashtë funksionit dhe lehtësimi i ngarkesës në trupin e rrugës së rrëshqitur, deri në krijimin e një skarpate natyrale që do mundësojë ndërhyrjen me mjetet e shpimit. Është vendosur sistemi dhe disiplinimi i të gjithë ujërave sipërfaqësore në të gjithë zonën e planit të rrëshqitjes, devijimi i rrjedhës së lumit që aktualisht godet trupën e hekurudhës, për të garantuar mbrojtjen e saj”, tha Kozeli.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos