
Një situatë shqetësuese u regjistrua paraditen e sotme në aksin rural Hotolisht-Dragostunjë, në Përrenjas, ku 12 pacientë të nisur për trajtim dialize në Spitalin Rajonal të Elbasanit mbetën të bllokuar për shkak të gjendjes së rënduar të rrugës.
Segmenti, i amortizuar dhe me gropa, baltë e pjesë të pakalueshme, bëri që automjetet që transportonin pacientët të ngecnin në disa pika, duke rrezikuar mbërritjen në kohë për trajtimin mjekësor.
A2 CNN raporton se në mungesë të ndërhyrjes institucionale, në ndihmë të tyre erdhën banorët e zonës, të cilët me mjete rrethanore arritën të hapin përkohësisht rrugën dhe të mundësojnë lëvizjen e mjeteve.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente në aksin Hotolisht-Dragostunjë dhe në aksin tjetër Spathar - Rruga Antike Egnatia-Dardhë - Hotolisht dhe garantimin e kalueshmërisë, veçanërisht për raste emergjente shëndetësore.
(A2 Televizion)