
Aktivistë dhe komuniteti i prindërve janë përballuar sot me një surprizë të pakëndshme në shkollën Fan Noli, pasi drejtoresha e kësaj shkolle nuk i ka lejuar vendosjen e një stoli në kujtim të Martin Canit, 14-vjeçari i cili u vra nga një bashkëmoshatari i tij pranë shkollës.
Gazetari i A2 CNN Armend Pire raportoi nga vendngjarja se drejtoresha nuk i ka lejuar, por ka bllokuar hyrjen me argumentin se nuk ka leje për vendosjen e tij, përkundër deklaratave të prindërve dhe aktivistëve të cilët thonë se është miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.
Në një deklaratë për A2 CNN aktivistja, Sideorela Vatnikaj shprehu zhgënjimin për këtë situatë dhe tha se drejtoresha ka thirru policinë për t’i larguar me forcë. Sipas saj të pranishëm kanë qenë edhe vetë prindërit e 14-vjeçarit Martin Canit, të cilët thekson ajo jo vetëm nuk kanë marrë drejtësi por përballen edhe me zvarritje burokratike.
“Jemi shumë të zhgënjyer dhe të lënduar se kjo burokraci po zvarrit një çështje që duhet të kishte qenë që në fillim shkollës. Na është thënë nga roja se drejtoresha nuk ka dalë asnjë moment, por ka thirrur policinë për të na larguar me forcë sikur të ishim banditë. Nuk na është dhënë asnjë arsye pse nuk duhet të vendoset stoli në shkollë. Sot kishim me vete edhe prindërit e Martin Canit, që jo vetëm nuk kanë marrë drejtësi, por përballen edhe me këtë zvarritje të pakuptimtë burokratike. Këshilli Bashkiak e ka miratuar vendosjen brenda hapësirës së shkollës stolit gjithashtu edhe zyra arsimore, ndërkohë që drejtoresha thotë që nuk mund të vendoset stoli. Drejtoresha e Fan Nolit duhet të kishte qenë e para e interesuar se është përgjegjëse për sigurinë e fëmijëve në shkolla. Jemi të indinjuar që drejtoresha nuk ka marrë asnjë masë konkrete pas ngjarjes tragjike të vrasjes së Martin Canit, por edhe zvarrit e pengon vendosjen e një stoli që do të ishte në të mirë të shkollës e ndërgjegjësimit të nxënësve të tjerë”.
Kujtojme se vrasja e Martin Canit ndodhi më 18 nëntor 2024, në Tiranë, rreth 200 metra larg shkollës “Fan Noli”. Konflikti mes dy adoleshentëve kishte nisur tri ditë më parë brenda ambienteve të shkollës për motive të dobëta. Edhe pse në dukje ishte shuar, ai u rindez sërish brenda shkollës.
Të dy të miturit u përplasën në tualetet e shkollës gjatë paradites dhe debatuan ashpër, por u ndanë nga roja i sigurisë. Pas mësimit, të shoqëruar nga miqtë e tyre, ata u takuan pranë shkollës, ku konflikti u përshkallëzua në një përleshje fizike, duke përfunduar me vrasjen e Martinit dhe plagosjen e Luis Meçes. (A2 Televizion)