"Ç'liroi" pallatin e konfiskuar në Tiranë, Rama i rikthehet akuzave ndaj gjyqtarit Balliu: Do e përdorte ASHK!

Nga A2 CNN
19 Gusht 2025, 18:33 | Aktualitet

"Ç'liroi" pallatin e konfiskuar në Tiranë, Rama

Gjyqtari Hazbi Balliu është rikthyer sot në qendër të vëmendjes dhe kritikave të kryeministri Edi Rama.

Përmes një postimi në rrjetet sociale shefi i qeverisë shprehet se Balliu vendosi në favor të një ndërtuesi të paligjshëm në kryeqytet, duke bllokuar me vendimin e tij konfiskimin e një pallati që po ndërtohej pa leje, të cilin qeveria pas konfiskimit do ta shndërronte në zyrat e reja të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Duke zbuluar për opinionin publik një ekstrakt të vendimit të gjyqtarit për rastin në fjalë dhe pamje nga zyrat aktuale të ASHK-së me tavanin e rrëzuar përtokë, Rama thekson rëndësinë e këtij vendimi.

Ai shprehet se është absurd si një gjykatës mund të mbrojë vendimin me pretendimin e se ASHK mund të punojë në ambiente të tjera dhe vendosja e saj në godinën e konfliktit mes dy palëve, nuk është e domosdoshme.

POSTIMI I RAMES:

Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz për të marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku u sistemua Agjencia Shtetërore e Kadastrës, e cila prej disa vitesh e vazhdonte punën në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti.

Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm, kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit dhe të gjykatës Balliut, por se si mund të shkruajë një gjykatës se ASHK-ja nuk ka prova që nuk mund të vazhdojë të rrijë në një godinë ku bien tavanet e muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që me ndihmën e të madhit Zot organet e kontrollit e të qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, i cili po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm edhe për fatet e vetë Reformës në Drejtësi

Në foto keni (mos)arsyetimin e gjykatës Balliut si edhe situatën e godinës së vjetër të ASHK-së, e cila mesa duket për Balliun është një vend normal pune për sa kohë nuk ka viktima. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos