“Mbrojeni vëllazërinë nën flamurin dhe shqiponjën, këto janë thesaret tuaja.” Ky është mesazhi kuptimplotë që Papa Françesku u ka lënë disa klerikëve shqiptarë, të cilët i takoi në vitin 2023 në Vatikan. Një prej tyre tregon emocionet e këtij takimi dhe mesazhin e veçantë.
At Vangjeli nga Mitropolia ortodokse e Korçës është një nga klerikët që në vitin 2023 patën mundësinë të takonin Papa Françeskun gjatë një vizite në Vatikan.
Përveç emocioneve për këtë takim kleriku kujton se mesazhi i Papës që u la klerikëve shqiptarë gjatë atij takimi ishte shumë domethënës dhe i lidhur drejtpërdrejtë me dhuratat simbolike që klerikët shqiptarë i çuan Papës.
“Në vitin 2023 së bashku me një grup klerikësh nga të gjitha komunitetet fetare në qytetin e Korçës ne patëm një vizitë në Romë dhe në konkretisht në Vatikan ku patëm mundësi për të takuar edhe Papa Françeskun. Ne përgatitëm dy dhurata këtu, ku njëra ishte një flamur kombëtar i pikturuar me një mbishkrimi në shqip dhe latinisht: Të gjithë vëllezër. Por edhe një bastun që kishte sipër të gdhendur kokën e shqiponjës dykrenore. Dhe ishin disa dhurata simbolike por kuptimplota për atë çka ne donim të çonim atje. Gjëja që na ka thënë dhe mua më ka ngelur në mendje ishte kjo: ‘Mbrojeni, mbrojeni, mbrojeni sepse ky është thesari juaj’. Ka qenë një moment i jashtëzakonshëm, mënyra sesi ai na inkurajoi të gjithë neve klerikëve, për atë çfarë ne duhet të bënim për ata që i kishim sjellë si dhuratë”, tha për A2 CNN, At Vangjel Sotiri.
Një nga zërat më të fuqishëm për atë që bota është sot, At Vangjeli shpreson që edhe pasardhësi i Françeskut të jetë një zë i fuqishëm për vlerat që i duhen sot njerëzimit.
“Ai ishte një nga zërat më të fuqishëm dhe më të drejtpërdrejtë në situatën ku është sot bota. Të shpresojmë se kushdo që do të jetë, do të jetë sërish një zë i fuqishëm për harmoninë dhe paqen, e për dashurinë e unitetin midis njerëzve”, tha At Vangjel Sotiri. (A2 Televizion)