Prefektura e qarkut të Fierit së bashku me institucionet e tjera kanë realizuar parashikimet ligjore sa i takon përgatitjeve për procesin e zgjedhjeve të 11 majin si me përcaktimin e qendrave të votimit e numërimit për të gjitha bashkitë dhe njësitë administrative ashtu edhe me afishimin e listës së zgjedhësve në vende të dukshme dhe të aksesueshme për të gjithë popullatën e qarkut.
Sipas këtyre listave në qarkun e Fierit janë 353.185 me banim në këtë qark dhe 32.466 janë të regjistruar në këtë qark për të votuar nga diaspora.
Referuar këtyre të dhënave prefekti i qarkut të Fierit shprehet se kemi rritje të numrit të votuesve dhe se parashikon një proces zgjedhor të qetë siç i takon qarkut të Fierit.
“Unë mendoj që bashkë me votuesit që janë regjistruar nga Diaspora nuk ka ulje. Ka interes të jashtëzakonshëm. Për qarkun e Fierit janë regjistruar mbi 32 mijë dhe statistikat tregojnë rritje të votuesve që janë regjistruar. Popullsia e qarkut të Fierit është ndër më të edukuarat, më punëtore, më të arsimuara dhe nuk i shkon fjala “qark i nxehtë”, qarkut të Fierit”, tha për A2 CNN, Arben Çuko.
Qarku i Fierit përfshin 6 bashki dhe zgjedh 16 deputetë në Parlamentin shqiptar. (A2 Televizion)