Kanë mbetur edhe pak ditë nga fillimi i shkollës. Më 9 shtator institucionet e arsimit parauniveristar në mbarë vendin nisin vitin e ri mësimor. Në çdo shkollë kanë nisur përgatitjet dhe shpërndarjet e teksteve.
Drejtuesit e institucioneve arsimore thonë se kanë gati paketat e librave për nxënësit më të rinj të shkollës por edhe sasinë e teksteve që do të duhet te zëvendësohen me të rinj për shkak të dëmtimeve nga përdorimi.
Në shkollën 9-vjeçare “Jeronim De Rada” në Tiranë, ditët e para të shpërndarjes së teksteve janë lënë për nxënësit e klasave të para. Paketa e librave për ta është e plotë, pa mungesa tekstesh, janë tërësisht të rinj dhe falas.
Afro 227 mijë nxënës në arsimin 9-vjecar, tekstet shkollorë i marrin falas dhe i kanë në përdorim. Në fund të vitit shkollor ata duhet t’i dorëzojnë të pastruar dhe pa dëmtime, për t’u përdorur nga nxënësit e një brezi më pas.
Nga mbështetja me tekste falas dhe në përdorim përfitojnë dhe 12.500 gjimnazistë që i përkasin kategorive të caktuara.
(A2 Televizion)