Agjentët e SPAK kanë ushtruar këtë të mërkurë kontroll në banesën e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në qytetin e Vlorës.
Rreth orës 15:30 agjentët e Prokurorisë së Posaçme së bashku me forcat e policisë së Vlorës si dhe forcat zjarrëfikëse kane hapur me forcë derën e banesës së Beqajt.
Banesa e Beqajt, i cili ndodhet pas hekurave pasi akuzohet për abuzim me fondet e BE-së gjatë kohës që drejtonte agjencinë SASPAK, ndodhet në katin e 7-të të një pallati në zonën e Lungomares.
Nuk dihet ende se çfarë kanë gjetur apo çfarë kane sekuestruar agjentët në shtëpinë e ish-ministrit, në një kohë kur hetimet për çështjen e abuzimit me fondet vijojnë.
Beqaj u arrestua në fillim të muajit korrik me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se përmes njerëzve të besuar ku njëri prej tyre është Ermal Kurtulaj, drejtues i projektit Eusair, pranë Agjencisë SASPAK, ata kanë përfituar shuma të mëdha parash duke lëshuar fatura fiktive për shërbime të pakryera të lëshuara nga biznese të ndryshme në Tiranë.
Mbi ish-ministrin e Shëndetësisë rëndojnë akuzat “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësi publik ose çdo personi tjetër, që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, si dhe “Mashtrimi”.
Dy ditë më parë, më 22 korrik, ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj ka ankimuar në apelin e GJKKO, masën e sigurisë arrest me burg duke argumentuar se nuk ka rrezik që të largohet jashtë vendit apo të prishë provat. (A2 Televizion)