Nga kjo e premte Mirela Bogdani është kryetare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Anëtarja e KLP prej vitit 2022, e zgjedhur nga radhët e pedagogëve të së drejtës për vendet e Shoqërisë Civile në Këshill, do të drejtojë Këshillin, që është qeveria e prokurorëve në vend.
Bogdani u zgjodh me miratimin e 10 anëtarëve të këshillit, ndërsa ishte garuesja e vetme për pozicionin e kryetarit.
Mirela Bogdani pason në këtë detyrë, Alfred Ballën, mandati i të cilit u ndërpre më 27 maj, për shkak të një vendimi të Shkallës së Dytë të Vetingut, që urdhëronte përjashtimin e tij nga funksionet në drejtësi për një periudhë 15 vjeçare.
Në platformën me të cilën bindi në bllok kolegët e KLP, Bogdani nënvizonte nxitjen e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, Prokurorin e Përgjithshme, KLGJ-në, Shkollën e Magjistraturës, ILD-në dhe Kuvendin, si edhe ndryshime ligjore për një Këshill sa më efektiv.
Duke qenë edhe anëtare e bordit të Magjistraturës dhe situatës me vende të lira në sistem, mes cilësisë dhe sasisë, Bogdani qëndroi me të parën.
Mirela Bogdani është drejtuesja e tretë e KLP nga fillesat e këtij institucioni. Para saj dhe Ballës, Këshilli është drejtuar nga Genti Ibrahimi, që aktualisht ushtron funksionin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese. (A2 Televizion)