(Mos)transparenca e Kuvendit, gjetjet e monitorimit, Lindita Nikolla përplaset me Afrim Krasniqin

Nga A2 CNN
7 Qershor 2024, 15:36 | Aktualitet

Puna e Kuvendit bëri bashkë këtë të premte, partitë politike, shoqërinë civile që monitoron veprimtarinë e këtij institucioni si dhe organizatat ndërkombëtare.  

Afrim Krasniqi, drejtuesi i Institutit për Studimet Politike, që prej vitesh monitoron punën e Kuvendit, konstatoi se problematikat janë të shumta, por rekomandimet e tyre nuk shkojnë në veshët e atyre që duhet t’i dëgjojnë. 

“Në lidhje me platformën online, deri nuk kemi arritur akses për të shkruar, por na thonë që funksionon. Në lidhje me votimet me kartonë, është e pamundur për t’u monitoruar”, tha Afrim Krasniqi.

Këto kritika nuk u pritën mirë nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, e cila pohoi se monitorimi në shumë raste nuk ka qenë i paanshëm.

“Gjatë procesit të monitorimit, ISP duhet që të zbatojë më mirë parimin e neutralitetit. Kam konstatuar se dëshira për të qenë kritikë ka bashkëjetuar me qëndrime jo fort të anshme. Më shumë kemi nevojë për analizë kritike problemore, si i thonë fjalës prapa drurëve të shohim pyllin”, deklaroi kryetarja e Kuvendit.

Përgjigjen e mori me batutë nga Lutfi Dervishi, i cili moderoi dhe këtë takim. 

“Sugjerimin e gjej pak si të pakuptueshëm. Është si të shkosh tek mjeku dhe të thotë që ke këtë sëmundje, dhe kjo është t’i thuash mjekut më argumento pse kam këtë sëmundje”.

Krasniqi, duke vlerësuar punën e Kuvendit, kërkoi dialog politik mes palëve për të arritur konsensus dhe të shmangen krizat politike.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos