
Mjegulla ka përfshirë paraditen e sotme një pjesë të mirë të Fushës së Maliqit, si edhe aksin nacional Bulgarec–Petrushë, duke vështirësuar ndjeshëm qarkullimin normal të mjeteve, shkruan A2. Dukshmëria e reduktuar ka sjellë probleme për drejtuesit e automjeteve, ndërsa autoritetet këshillojnë lëvizje me kujdes të shtuar dhe respektim të sinjalistikës rrugore.
Ndërkohë, prania e dendur e mjegullës gjatë këtyre ditëve është kthyer në shqetësim për personat që vuajnë nga problemet me rrugët e frymëmarrjes. Mjekët rekomandojnë që këta persona të shmangin lëvizjet, veçanërisht gjatë orëve kur mjegulla është më e pranishme, si dhe të qëndrojnë pranë qendrave të tyre të banimit.
Situata pritet të përmirësohet me rritjen e temperaturave gjatë orëve të mesditës. (A2 Televizion)