Mjekja e Onkologjikut: Kurrë s’kam dërguar një pacient me kancer te privati! Jam e pafajshme

Nga A2 CNN
27 Qershor 2024, 10:24 | Aktualitet

Një prej mjekeve që është akuzuar se dërgonte pacientët nga shteti në privat, Alketa Pere është shprehur se është e pafajshme. Ajo tha se nuk ka dërguar kurrë një pacient në privat, duke thënë se duhet të hetohen këto spitale për aktivitetin që kryejnë.

"Nuk kam asnjë koment. Kurrë në jetën time se kam bërë këtë gjë, që pacienti me kancer të shkojë në privat. Duhet të trajtohet në onkologjik, duhet të hetohen spitalet private për aktivitetin që kryhet. Duhet ndryshim rrënjësor në Onkologjik. Sot kam ardhur të mbroj veten time, jam e pafajshme", tha Pere.

Ndonëse ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, tha se mjekët e përfshirë në këtë çështje do të largohen nga sistemi i shëndetësisë, ajo tha se do të vijojë që të shkojë në punë. “Do shkoj në Onkologjik, nuk jam e shkarkuar”, u shpreh mjekja.

Gjykata Penale e Tiranës do të vlerësojë këtë të enjte masat e sigurisë për mjekët dhe specialistët e Onkologjikut, të cilët dyshohet se drejtonin pacientët me sëmundje tumorale drejt klinikave private. Sipas Prokurorisë, këta persona, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë “shpërdoruar detyrën”. Në përgjime, dolën duke iu mohuar pacientëve shërbimin në shtet dhe i drejtonin drejt privatit.

Gjykata kishte caktuar fillimisht masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për mjekun Edmond Gashi, të akuzuar për “shpërdorim detyre”. Ndërsa për mjeken Alketa Ymeri dhe koordinatorin e spitalit Emiljano Lela, është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos